Ja se ç’do të ndodhë me Inteligjencën Artificiale në vitin 2019


Inteligjenca Artificiale (AI) – veçanërisht mësimi i funksionimit të makinerive– ishte e gjithëpranishme gjatë vitit 2018, dhe po kështu do të jetë edhe gjatë vitit 12019. Por AI do të mbetet edhe në vitet në vazhdim, një pjesë themelore e jetës sonë. Për vitin 2019, dhe ndoshta përtej tij, presim zhvillime të habitshme në këtë fushë, dhe ja cilat janë shkurtimisht ato:

Bernard Marr

AI do të bëhet gjithnjë e më shumë një çështje e politikës ndërkombëtare

Vitit 2018, i pa fuqitë botërore të jenë gjithnjë e më shumë mbrojtëse të interesave të tyre kombëtare, kur është fjala për tregtinë dhe mbrojtjen. Kjo nuk ka qenë askund më e dukshme se sa në marrëdhëniet midis dy superfuqive të Inteligjencës Artificiale në botë, SHBA-së dhe Kinës.

E përballur me rritjen e tarifave dhe kufizimet e eksporteve për mallrat dhe shërbimet për krijimin AI, të imponuar nga qeveria amerikane, Kina ka shtuar përpjekjet e saj për t’u mbështetur tek forcat e veta, kur bëhet fjalë për kërkimin dhe zhvillimin.

Prodhuesi kinez i teknologjisë, Huauei, shpalli planet e tij për të zhvilluar çipet e veta të AI, duke zvogëluar kësisoj nevojën për industrinë e lulëzuar të Inteligjencës Artificiale të vendit, që të mbështetet aktualisht tek prodhuesit amerikanë si Intel dhe Nvidia.

Njëherazi, Google është përballur me kritika publike për gatishmërinë e saj të dukshme, për të bërë biznes me kompanitë e teknologjisë kineze (shumica e të cilave kanë lidhje direkte me qeverinë kineze), duke u tërhequr (pas presionit nga punonjësit e saj) nga marrëveshjet për të bashkëpunuar me agjencitë qeveritare të SHBA-së, për shkak të shqetësimeve se teknologjia e saj mund të militarizohet.

Me politikën nacionaliste që po përjeton një ringjallje, ekzistojnë 2 rreziqe të dukshme. Së pari, teknologjia e Inteligjencës Artificiale, mund të përdoret gjithnjë e më shumë nga regjimet autoritare për të kufizuar liritë, sikurse është e drejta e privatësisë apo e fjalës së lirë.

Së dyti, këto tensione mund të komprometojnë frymën e bashkëpunimit midis organizatave akademike dhe industriale në të gjithë botën. Kjo kornizë e bashkëpunimit të hapur, ka qenë një instrument i rëndësishëm për zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së AI siç e njohim sot, dhe vendosja e kufizimeve, ka të ngjarë ta ngadalësojë këtë përparim.

Një lëvizje drejt një AI transparente

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në shoqërinë e gjerë – veçanërisht kur përfshin trajtimin e të dhënave mbi njerëzit – pengohet nga “problemi i kutisë së zezë”. Në përgjithësi, veprimet e saj duken të fshehta dhe të padepërtueshme, pa një kuptim të plotë të asaj që po bën aktualisht.

Për të arritur potencialin e tij të plotë, AI duhet të besohet, dhe ne duhet të dimë se çfarë po bën me të dhënat tona, pse dhe si i merr vendimet, kur është fjala për çështje që ndikojnë në jetën tonë.

Në vitin 2019, ne do të shohim një vëmendje më të madhe tek masat e planifikuara për të rritur transparencën e AI. Këtë vit, IBM prezantoi teknologjinë e re për të përmirësuar gjurmueshmërinë e vendimeve në teknologjinë AI OpenScale. Ky koncept, jep njohuri në kohë reale jo vetëm mbi vendimet që merren, por edhe sesi hartohen ato, duke tërhequr lidhje mes të dhënave që përdoren, peshës së vendimeve dhe potencialit për paragjykime mbi informacionet.